Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale

Grantet e USAID-it dhe MBPZHR-së vazhdojnë të rrisin sektorin e pemëve të imëta të Kosovës

Grantet e USAID-it dhe MBPZHR-së vazhdojnë të rrisin sektorin e pemëve të imëta të Kosovës

5 korrik, 2019 – Sot, edhe tre prodhues dhe përpunues të Kosovës morën ndihmë në formë të granteve nga USAID-i dhe Ministria e Bujqësisë e Kosovës në shumën e përgjithshme prej 372,933 euro. Laberion nga Podujeva, njëra nga kompanitë më të mëdha të lëngjeve në Kosovë, që merret me grumbullimin, klasifikimin, ngrirjen dhe eksportimin e pemëve të imëta, mori një grant prej 152,935 euro për rritjen e konkurrencës nëpërmjet modernizimit të kapaciteteve të saj të grumbullimit dhe përpunimit të dredhëzave. Kjo ndihmë do të kontribuojë në ngritjen e 8 hektarëve të rinj me dredhëza komerciale, vendosjen e një linje të re paketimi dhe rritjen e kapaciteteve/hapësirave ftohëse të Laberion. Joni-Sh që u themelua në vitin 2016 dhe punon në tregun e eksportit të mjedrës, u ndihmua me një grant në shumë prej 150,080 euro për ngritjen e 10 hektarëve të mjedrës dhe përmirësimin e ruajtjes dhe paketimt. Përfituesi i tretë i grantit është kompania Mana, një biznes familjar i themeluar në vitin 2016 në komunën e Junikut. Merret me kultivimin dhe shitjen e mjedrave dhe boronicave. Udhëhiqet nga një afariste e re, e sapo-diplomuar dhe e mbështetur nga gjashtë punonjës të përhershëm. Kompania ka marrë 69,900 euro për zgjerimin e kultivimit të boronicave. Kompania do të ngrejë 3.5 hektarë të rinj të plantacioneve për kultivimin e boronicës dhe do të instalojë një sistem të ujitjes pikë-pikë për plantacionin e ri. Këto grante janë financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) e Kosovës.